Standardet e sigurisë së fëmijëve
Kape nuk toleron asnjë formë të abuzimit ose të shfrytëzimit seksual të fëmijëve. Këto standarde vlejnë për gjithë Kape — faqen dhe aplikacionin për iPhone dhe Android — dhe për çdo pjesë të tij: postimet, profilet, bizneset, vlerësimet dhe mesazhet. Këtu shpjegojmë çfarë ndalohet, si e mbajmë Kape Dashurinë vetëm për të rriturit, si mund të na raportoni një shqetësim dhe çfarë bëjmë kur na raportohet.
Çfarë ndalohet
Në Kape ndalohet rreptësisht abuzimi dhe shfrytëzimi seksual i fëmijëve (CSAE). Kjo përfshin, pa u kufizuar në:
- Materialin e abuzimit seksual të fëmijëve (CSAM): çdo foto, video, vizatim, tekst ose imazh — edhe të krijuar ose të përpunuar me inteligjencë artificiale — që e tregon një të mitur në një situatë seksuale ose e seksualizon atë. Ndalohet ta postoni, ta dërgoni me mesazh, ta kërkoni ose të vendosni lidhje drejt tij.
- Joshjen e të miturve (grooming): afrimin me një të mitur, në postime ose në mesazhe, për të krijuar një marrëdhënie me qëllim seksual, për t'i kërkuar foto ose për ta takuar.
- Shantazhin seksual (sextortion): kërcënimin e një të mituri për të marrë prej tij foto intime, para ose diçka tjetër.
- Trafikimin e fëmijëve: çdo ofertë, kërkesë ose reklamë për shitjen, shfrytëzimin ose transportin e një të mituri.
- Seksualizimin e të miturve: komente, përshkrime ose foto që e paraqesin një të mitur në mënyrë seksuale, edhe pa nuditet.
- Të miturit në Kape Dashurinë: një postim nga ose për një person nën 18 vjeç, ose përpjekjen për ta futur një të mitur aty.
Këto rregulla vlejnë njësoj edhe për mesazhet private.
Rregullat për moshën
- Për të përdorur Kape duhet të jeni të paktën 13 vjeç.
- Kape Dashurinë është vetëm për personat 18 vjeç e lart. Në aplikacion dhe në faqe, seksioni hapet vetëm pasi të keni hyrë në llogari dhe të keni shënuar datën e lindjes. Kur data tregon se jeni nën 18 vjeç, seksioni mbetet i mbyllur për llogarinë tuaj: nuk mund t'i shihni postimet, të postoni, as t'u shkruani postuesve apo të lexoni bisedat që nisin nga një postim.
- Një datë lindjeje që tregon nën 18 vjeç nuk mund ta ndryshojë vetë llogaria. Postimet e një llogarie të tillë nuk i shfaqen askujt.
- Data e lindjes nuk i shfaqet askujt. Një datë lindjeje e rreme është shkelje e Kushteve të shërbimit dhe mund të çojë në mbylljen e llogarisë.
- Te postimet e Kape Dashurinë numri i telefonit nuk shfaqet: kontakti bëhet me mesazh në Kape, ose në Instagram nëse postuesi ka shënuar një llogari.
Si raportoni një shqetësim
Nëse shihni diçka që mund ta dëmtojë një fëmijë, ose dikush i shkruan një të mituri me qëllime të dyshimta, na e raportoni menjëherë:
- Në aplikacion: prekni Raporto te postimi, ose te menyja e bisedës (Raporto ose blloko). Nga e njëjta meny mund ta bllokoni personin, që të mos ju shkruajë më.
- Në faqe: përdorni butonin Raporto te postimi në Kape Dashurinë, ose na shkruani me email për çdo gjë tjetër.
Në raportim shkruani lidhjen e postimit ose emrin e përdoruesit dhe çfarë keni parë. Mos na dërgoni foto ose video të abuzimit dhe mos i shpërndani ato, as për t'i raportuar — mjafton lidhja ose një përshkrim.
Nëse një fëmijë është në rrezik në këtë moment, telefononi menjëherë policinë.
Çfarë bëjmë kur na raportohet
- Çdo raportim e lexon një person nga stafi ynë.
- Përmbajtjen që shkel këto standarde e heqim sapo e mësojmë, dhe llogarinë që e postoi ose e dërgoi e mbyllim përgjithmonë.
- Materialin e abuzimit seksual të fëmijëve dhe çdo rast joshjeje, shantazhi ose shfrytëzimi të një të mituri ua raportojmë autoriteteve kompetente.
- Bashkëpunojmë me kërkesat e ligjshme të autoriteteve dhe u japim të dhënat që ligji kërkon për hetimin.
- Një postim në Kape Dashurinë që i përket një të mituri e heqim, dhe llogarinë mund ta mbyllim.
Mbrojtjet në Kape
- Një postim me fjalë seksuale eksplicite, kërcënime ose fyerje urrejtjeje nuk publikohet menjëherë: pret që ta shqyrtojë stafi ynë. Një mesazh me fjalë të tilla nuk dërgohet fare.
- Në aplikacion mund ta bllokoni këdo: personi i bllokuar nuk ju shkruan dot dhe nuk i sheh më postimet tuaja, as ju të tijat. Ai nuk njoftohet.
- Faqet e Kape Dashurinë u kërkojnë motorëve të kërkimit të mos i indeksojnë, që një postim të mos dalë kur dikush kërkon emrin e personit.
Kontakti
Për këto standarde dhe për çdo shqetësim për sigurinë e një fëmije në Kape, na shkruani në:
Email: [email protected]
Shihni edhe Kushtet e shërbimit dhe Politikën e privatësisë.




